Mënyra më e mirë për të zvogëluar rrezikun për t’u sëmurë dhe për të parandaluar format e rënda të sëmundjes është vaksinimi me vaksinën kundër gripit sezonal. Viruset e influencës evoluojnë vazhdimisht dhe OBSH-ja jep rekomandime globale për përditësimin e përbërjes së vaksinës dy herë në vit.
OBSH-ja rekomandon vaksinimin vjetor për grupet me rrezik të lartë, duke përfshirë punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Për mbrojtje sa më efektive, vaksinimi duhet të kryhet pak para fillimit të sezonit të gripit, megjithëse vaksinimi në çdo kohë gjatë sezonit të gripit mund të ndihmojë ende në parandalimin e infeksioneve nga virusi i influencës. Pas vaksinimit, organizmit mund t’i duhen deri në dy javë për të zhvilluar mbrojtje (antitrupa) kundër virusit të influencës.
Masa të tilla si hapja e dritareve për ajrosjen e ambienteve dhe shmangia e hapësirave të mbyllura dhe të mbipopulluara mund të zvogëlojnë gjithashtu rrezikun. Shihni më poshtë pjesën “Si mund të parandalohet përhapja e gripit?”.
Çfarë është gripi sezonal?
Gripi sezonal (ose “gripi”) shkaktohet më së shpeshti nga viruset e influencës të tipit A ose B. Simptomat përfshijnë fillimin e papritur të temperaturës, kollën (zakonisht të thatë), dhimbjen e kokës, dhimbjet e muskujve dhe nyjave, dhimbjen e fytit dhe rrjedhjen e hundëve. Kolla mund të jetë e rëndë dhe mund të zgjasë dy javë ose më shumë.
Shumica e njerëzve shërohen nga temperatura dhe simptomat e tjera brenda një jave, pa pasur nevojë për kujdes mjekësor. Megjithatë, gripi mund të shkaktojë sëmundje të rëndë ose vdekje te grupet me rrezik të lartë (shih më poshtë pjesën “Kush është më i rrezikuar?”).
Epidemitë sezonale shfaqen kryesisht gjatë dimrit, nga tetori deri në mars në rajonet e buta të hemisferës veriore dhe nga prilli deri në shtator në rajonet e buta të hemisferës jugore. Në rajonet tropikale, gripi qarkullon gjatë gjithë vitit, me një ose më shumë periudha të qarkullimit të shtuar.
Si mund të parandalohet përhapja e gripit?
Gripi përhapet përmes grimcave të imëta që çlirohen në ajër kur një person i infektuar me virusin kollitet, teshtin, flet ose merr frymë. Një person mund të infektohet me virusin e influencës duke qëndruar pranë dikujt që është i sëmurë ose duke ndarë të njëjtën hapësirë të mbyllur. Virusi mund të përhapet gjithashtu përmes duarve të kontaminuara.
Personat që ndihen të sëmurë duhet, për aq sa është e mundur, të qëndrojnë në shtëpi. Nëse ndodhen në ambiente të mbipopulluara, duhet të mbajnë maskë.
Masat për kufizimin e përhapjes së gripit përfshijnë:
- rritjen e ventilimit, për shembull duke hapur dritaret, për të përmirësuar cilësinë dhe qarkullimin e ajrit në ambientet e brendshme;
- shmangien e hapësirave të mbyllura dhe të mbipopulluara;
- mbulimin e hundës dhe gojës me një faculetë gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe hedhjen e faculetës pas përdorimit;
- pastrimin e rregullt të duarve; dhe
- pastrimin e rregullt të sipërfaqeve që preken shpesh.
Kush është më i rrezikuar?
Personat me rrezik më të lartë për zhvillimin e formave të rënda të gripit sezonal janë:
- gratë shtatzëna, në çdo fazë të shtatzënisë;
- fëmijët nën moshën 5 vjeç;
- personat mbi 65 vjeç;
- personat me sëmundje kronike, si astma, sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive, si dhe diabeti;
- personat me sistem imunitar të suprimuar, për shkak të kimioterapisë ose gjendjeve të tilla si HIV-i; dhe
- personat me rrezik të shtuar të ekspozimit ndaj virusit të influencës, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Si trajtohet gripi?
Personat me grip duhet të konsumojnë shumë lëngje dhe të pushojnë. Shumica e njerëzve fillojnë të ndihen më mirë brenda një jave.
OBSH-ja sugjeron që personave që kanë rrezik më të lartë për zhvillimin e formave të rënda të sëmundjes t’u jepen barna antivirale, pasi këto barna ndihmojnë në zvogëlimin e komplikimeve dhe rrezikut të vdekjes. Ato janë më efektive kur merren herët, në mënyrë ideale brenda 48 orëve nga fillimi i simptomave.
Antibiotikët nuk janë efektivë kundër viruseve, përfshirë viruset e influencës.
A lidhet gripi sezonal me gripin pandemik?
Shpërthimet e gripit sezonal shkaktohen nga ndryshime të vogla në viruset që tashmë janë në qarkullim dhe ndaj të cilave shumë njerëz kanë një shkallë të caktuar imuniteti.
Pandemitë e gripit shkaktohen nga viruse të reja të influencës, ndaj të cilave shumica e njerëzve nuk kanë imunitet. Nëse këto viruse fitojnë aftësinë për t’u përhapur lehtësisht nga një person te tjetri, ato mund të infektojnë një numër shumë më të madh njerëzish, duke çuar në një pandemi.
Viruset e gripit sezonal mund të kontribuojnë në shfaqjen e një virusi pandemik; për shembull, kjo mund të ndodhë nëse një virus i influencës sezonale përzihet me një virus të influencës që aktualisht qarkullon te kafshët.
Pasi një virus pandemik të ketë qarkulluar dhe të jetë stabilizuar për një periudhë të caktuar kohore në një popullatë, siç ndodhi me virusin pandemik A(H1N1) në vitin 2009, ai mund të shndërrohet në një virus sezonal.
Përgatiti: Dr. Dukagjin Zeqiraj
Specialist i Sëmundjeve Infektive
Burimi: WHO
Rishikuar më: 26.09.2026

