Oseltamiviri ul rrezikun e pranimit në kujdesin intensiv te fëmijët me grip

Oseltamiviri ul rrezikun e pranimit në kujdesin intensiv te fëmijët me grip

Administrimi i oseltamivirit te pacientët pediatrikë të hospitalizuar me grip zvogëlon gjasat për pranim në njësinë e kujdesit intensiv (NKI), duke theksuar rëndësinë e respektimit të udhëzimeve klinike për fillimin e hershëm të trajtimit, pavarësisht nga kohëzgjatja e simptomave apo rreziku fillestar për sëmundje të rëndë.

Sipas rezultateve të një studimi të publikuar në JAMA Pediatrics, fëmijët e hospitalizuar me grip që marrin oseltamivir kanë 31% më pak gjasa për t’u pranuar në njësinë e kujdesit intensiv (NKI).

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë që të gjithë fëmijët e hospitalizuar me grip të dyshuar ose të konfirmuar të marrin trajtim antiviral, pavarësisht nga kohëzgjatja e simptomave.

Studiuesit kryen një studim retrospektiv kohortor për të vlerësuar nëse trajtimi me oseltamivir lidhet me një rrezik më të ulët për pranim në NKI. Ata analizuan të dhënat nga Rrjeti i Mbikëqyrjes së Hospitalizimeve nga Gripi (Influenza Hospitalization Surveillance Network – FluSurv-NET). Analiza përfshiu 7103 fëmijë të hospitalizuar me grip të konfirmuar laboratorikisht gjatë periudhës 2014–2023. Këta pacientë u vlerësuan për pranim në NKI në varësi të faktit nëse kishin marrë ose jo oseltamivir. Sezoni i gripit 2020–2021 u përjashtua nga kjo analizë.

“Këto gjetje mbështesin rekomandimet aktuale kombëtare që të gjithë fëmijët e hospitalizuar me grip të konfirmuar laboratorikisht të trajtohen me oseltamivir sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht nga koha që ka kaluar nga fillimi i simptomave apo nga faktorët bazë të rrezikut për sëmundje të rëndë.”

Në mesin e pacientëve që morën oseltamivir (n=5746) dhe atyre që nuk e morën atë (n=1357), përkatësisht 56% dhe 55% ishin djem, 45% dhe 40% ishin të moshës 2 vjeç ose më të vegjël, 18% dhe 30% kishin simptoma për më shumë se 5 ditë para pranimit në spital, 52% dhe 42% kishin të paktën një sëmundje shoqëruese, ndërsa 33% dhe 30% kishin marrë vaksinën kundër gripit për sezonin aktual. Në përgjithësi, mosha mediane e pacientëve ishte 3 vjeç (IQR, 1–7 vjeç).

Një përqindje më e lartë e pacientëve që morën oseltamivir u pranua në NKI (31% kundrejt 15%) dhe iu nënshtrua ventilimit mekanik (6% kundrejt 3%) krahasuar me pacientët që nuk morën oseltamivir. Kohëzgjatja mediane e qëndrimit në spital (LOS) ishte 3 ditë si te pacientët që morën oseltamivir, ashtu edhe te ata që nuk e morën atë.

Pas përshtatjes për faktorët ngatërrues (confounders), oseltamiviri uli në mënyrë statistikisht domethënëse rrezikun për pranim në NKI (raporti i rregulluar i rrezikut [aHR], 0.69; IC 95%, 0.60–0.80) dhe u shoqërua me një kohëzgjatje më të shkurtër të qëndrimit në spital (aHR, 1.13; IC 95%, 1.06–1.21).

Kur fëmijët që kishin marrë oseltamivir në të njëjtën ditë kur ishin pranuar në NKI u klasifikuan si pacientë që nuk kishin marrë oseltamivir, efekti mbrojtës i oseltamivirit ndaj pranimit në NKI ishte edhe më i fuqishëm (aHR, 0.30; IC 95%, 0.26–0.34).

Në analizat me ekspozim që ndryshonte në kohë, oseltamiviri uli rrezikun për pranim në NKI si kur trajtimi filloi herët (aHR, 0.74; IC 95%, 0.63–0.86; P <0.001), ashtu edhe kur filloi vonë (aHR, 0.55; IC 95%, 0.41–0.73; P <0.001), krahasuar me mungesën e trajtimit. Megjithatë, nuk u demonstrua përparësi statistikisht domethënëse e trajtimit të hershëm ndaj atij të vonshëm (aHR, 1.34; IC 95%, 0.99–1.81; P=0.06). Trajtimi i hershëm me oseltamivir uli kohëzgjatjen e qëndrimit në spital krahasuar me mungesën e trajtimit me oseltamivir (aHR, 1.15; IC 95%, 1.08–1.23; P <0.001).

Në analizat e nëngrupeve, fëmijët me rrezik më të lartë për pranim në NKI ishin ata me sëmundje shoqëruese (aHR, 1.62; IC 95%, 1.40–1.87) dhe fëmijët me përkatësi etnike indiane amerikane ose vendase të Alaskës (aHR, 1.75; IC 95%, 1.01–3.02).

Qëndrimi më i gjatë në spital u shoqërua me pranimin në NKI (aHR, 0.43; IC 95%, 0.40–0.45), praninë e sëmundjeve shoqëruese (aHR, 0.81; IC 95%, 0.77–0.86) dhe moshën 2 vjeç ose më të vogël, ose 6 vjeç e më të madhe (intervali i aHR, 0.84–0.90).

Kufizimet e studimit

Kufizimet përfshinin dizajnin e studimit, kryerjen e testimit sipas gjykimit të mjekut, të dhëna jo të plota lidhur me ekspozimin ndaj oseltamivirit para hospitalizimit dhe faktin se rrjeti i mbikëqyrjes mbulonte afërsisht 9% të popullsisë së Shteteve të Bashkuara.

Përfundimi

Studiuesit përfunduan:

“Këto gjetje mbështesin rekomandimet aktuale kombëtare që të gjithë fëmijët e hospitalizuar me grip të konfirmuar laboratorikisht të trajtohen me oseltamivir sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht nga koha që ka kaluar nga fillimi i simptomave apo nga faktorët bazë të rrezikut për sëmundje të rëndë.”

Përgatiti: Dr. Dukagjin Zeqiraj
Specialist i Sëmundjeve Infektive
Burimi: JAMA Pediatrics
Rishikuar më: 30.09.2026

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *