Shëndeti seksual shoqërohet me një gamë të gjerë mitesh dhe keqkuptimesh. Në këtë shkrim të “Miteve mjekësore”, do të trajtojmë nëntë keqkuptime të zakonshme. Ndër të tjera, do të flasim për përdorimin e dy prezervativëve njëkohësisht, ulëset e tualetit dhe metodën e tërheqjes (“pull-out”).
Infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) kanë qenë në rritje në Kosovë.
Në vitin 2019, CDC-ja mori raporte për më shumë se 2.5 milionë raste të klamidias, gonorresë dhe sifilizit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se çdo ditë, në mbarë botën, merren rreth 1 milion IST të reja.
Pavarësisht rritjes së prevalencës së tyre, IST-të vazhdojnë të shoqërohen me një stigmë të konsiderueshme. Për disa persona, kjo mund të nënkuptojë se janë më pak të gatshëm të flasin për shqetësimet lidhur me shëndetin seksual ose t’i bëjnë pyetje mjekut.
Ky hezitim për të folur hapur rreth shëndetit seksual mund të favorizojë përhapjen e informacionit të pasaktë dhe keqinformimit.
Natyrisht, interneti është një pikënisje e përshtatshme për dikë që ka një pyetje të cilën dëshiron ta bëjë në mënyrë anonime. Fatkeqësisht, jo të gjitha informacionet që gjenden në internet janë të besueshme.
Dr. Sue Mann, konsulente në shëndetin seksual dhe riprodhues dhe eksperte mjekësore në fushën e shëndetit riprodhues pranë Public Health England.
Rritja e njohurive dhe e të kuptuarit mbi shëndetin seksual i ndihmon njerëzit të marrin vendime të informuara dhe të sigurta. Megjithëse një artikull i vetëm nuk mund të zhdukë besimet e rreme të rrënjosura thellë, sa më shumë informacion i besueshëm të jetë i disponueshëm, aq më mirë.
1. Kur dikush përdor “pilulë”, nuk mund të infektohet me IST
Ky është një mit. Kontracepsioni oral nuk mbron nga infektimi me sëmundje seksualisht të transmetueshëm (IST).
Siç shpjegoi Dr. Mann për MNT: “Kontracepsioni oral shërben vetëm për parandalimin e shtatzënisë. Mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga marrja e një IST-je gjatë marrëdhënies seksuale është përdorimi i prezervativit.”
Në mënyrë të ngjashme, CDC-ja thekson: “Metodat e kontrollit të lindjes, si pilula, flasteri, unaza dhe pajisja intrauterine (IUD), janë shumë efektive në parandalimin e shtatzënisë, por nuk mbrojnë nga [IST-të] dhe HIV-i.”
2. “Metoda e tërheqjes” parandalon shtatzëninë
E ashtuquajtura metoda e tërheqjes, e njohur gjithashtu si coitus interruptus ose metoda “pull-out”, konsiston në tërheqjen e penisit nga vagina përpara ejakulimit. Megjithëse mund të zvogëlojë mundësinë e shtatzënisë, “metoda e tërheqjes nuk është një mënyrë e besueshme për të parandaluar shtatzëninë”, tha Dr. Mann.
Kur përdoret në mënyrë të saktë, ajo mund të ulë rrezikun e shtatzënisë, por zbatimi i saktë mund të jetë i vështirë në momentin e marrëdhënies seksuale.
Për më tepër, përpara ejakulimit, penisi çliron lëngun paraejakulator, ose të ashtuquajturin “pre-cum”. Në disa raste, ky lëng mund të përmbajë spermatozoide.
Për shembull, në një studim, shkencëtarët analizuan mostrat e lëngut paraejakulator nga 27 pjesëmarrës. Ata identifikuan spermatozoide të gjalla në lëngun paraejakulator të 10 prej pjesëmarrësve.
Secili vullnetar dha maksimumi pesë mostra. Në mënyrë interesante, studiuesit gjetën spermatozoide ose në të gjitha mostrat e një personi, ose në asnjërën prej tyre. Me fjalë të tjera, disa persona kanë tendencë të kenë spermatozoide në lëngun e tyre paraejakulator, ndërsa të tjerë jo. Autorët arritën në përfundimin:
“Prezervativët duhet të vazhdojnë të përdoren që nga momenti i parë i kontaktit gjenital, megjithëse mund të jetë e mundur që disa meshkuj, të cilët kanë më pak gjasa të çlirojnë spermatozoide në lëngun e tyre paraejakulator, të jenë në gjendje ta praktikojnë coitus interruptus në mënyrë më të suksesshme se të tjerët.”
3. “Metoda e tërheqjes” parandalon IST-të
Duke përdorur metodën e tërheqjes, “ju ende mund të infektoheni me IST, si HIV-i, herpesi, sifilizi, gonorrea ose klamidia”, shpjegoi Dr. Mann.
4. Përdorimi i dy prezervativëve e dyfishon mbrojtjen
Është e kuptueshme pse njerëzit mund të mendojnë se përdorimi i dy prezervativëve do të ofronte dyfishin e mbrojtjes, por ky është një mit.
“Në fakt, përdorimi i dy ose më shumë prezervativëve gjatë marrëdhënieve seksuale është më i rrezikshëm”, tha Dr. Mann. “Mundësia që prezervativi të çahet është më e lartë për shkak të fërkimit që i nënshtrohet prezervativi. Një prezervativ i vetëm është alternativa më e mirë.”
5. Mund të infektoheni me IST nga ulësja e tualetit
Ky është ndoshta një nga mitet më të qëndrueshme që lidhen me IST-të. Megjithatë, pavarësisht se është hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur, ai vazhdon të qarkullojë si mit. Dr. Mann i tha MNT:
“IST-të transmetohen përmes marrëdhënieve seksuale vaginale, anale ose orale të pambrojtura, si dhe përmes kontaktit gjenital dhe përdorimit të përbashkët të lodrave seksuale.”
Ajo shpjegoi gjithashtu se mikroorganizmat që shkaktojnë “IST-të nuk mund të mbijetojnë për një kohë të gjatë jashtë trupit të njeriut, ndaj përgjithësisht vdesin shpejt në sipërfaqe të tilla si ulëset e tualetit”.
Në mënyrë të ngjashme, bakteret përgjegjëse për IST-të, si klamidia, gonorrea dhe sifilizi, nuk mund të mbijetojnë jashtë membranave mukoze të trupit për një kohë të konsiderueshme. Për këtë arsye, ato nuk do të mbijetonin në një ulëse tualeti.
6. Nuk ekziston trajtim për IST-të
Kjo nuk është e vërtetë. Megjithatë, ndonëse IST-të mund të trajtohen, jo të gjitha mund të shërohen. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpjegon se tetë patogjenë përbëjnë pjesën dërrmuese të IST-ve.
Katër prej këtyre tetë patogjenëve shkaktojnë infeksione që mund të shërohen: sifilizi, gonorrea dhe klamidia, të cilat janë infeksione bakteriale, si dhe trikomoniaza, e cila është një infeksion parazitar.
Katër të tjerat janë virale: hepatiti B, virusi herpes simplex (HSV), HIV-i dhe virusi i papilomës humane (HPV). Këto infeksione aktualisht nuk mund të shërohen. Megjithatë, vlen të theksohet se infeksionet nga HPV shpesh eliminohen natyrshëm nga organizmi.
7. Nuk mund të infektoheni me IST nëse nuk kryeni marrëdhënie seksuale me penetrim
“Marrëdhëniet seksuale me penetrim nuk janë mënyra e vetme përmes së cilës dikush mund të infektohet me një IST. Seksi oral, kontakti gjenital dhe përdorimi i përbashkët i lodrave seksuale janë mënyra të tjera përmes të cilave IST-të mund të transmetohen,” i tha Dr. Mann MNT.
Përtej kontaktit seksual, është gjithashtu e mundur të infektoheni me IST përmes ekspozimit ndaj gjakut që përmban patogjenin infektiv, përfshirë edhe përmes përdorimit të përbashkët të gjilpërave.
8. Vetëm meshkujt homoseksualë infektohen me HIV
Ky është një tjetër supozim i kahershëm dhe krejtësisht i pasaktë. Sipas Dr. Mann:
“Çdokush, pavarësisht orientimit seksual, racës, përkatësisë etnike, moshës ose gjinisë, mund të infektohet me HIV. Nëse jeni të infektuar me HIV dhe nuk e dini këtë, ka më shumë gjasa t’ia transmetoni virusin dikujt tjetër. Por, nëse e dini statusin tuaj, mund të siguroheni që ju dhe partneri ose partnerët tuaj të ndërmerrni masat e nevojshme për të qëndruar të shëndetshëm.”
Dr. Mann thekson rëndësinë e testimit, duke shpjeguar se në shumë vende, “testimi është falas, i thjeshtë dhe konfidencial. Madje mund ta kryeni testin në komoditetin e shtëpisë suaj.”
9. Mund ta transmetoni IST vetëm nëse keni simptoma
“Shumë njerëz ua transmetojnë IST-të të tjerëve pa e ditur as vetë,” tha Dr. Mann. “IST-të mund të transmetohen si në prani të simptomave, ashtu edhe në mungesë të tyre.”
Në të vërtetë, OBSH-ja shpjegon se “shumica e IST-ve nuk shkaktojnë simptoma ose shkaktojnë vetëm simptoma të lehta, të cilat mund të mos njihen si shenja të një IST-je”.
“Pikërisht për këtë arsye,” shpjegoi Dr. Mann, “është e rëndësishme të kryeni testime të rregullta dhe të përdorni prezervativ për të parandaluar IST-të sa më shumë që të jetë e mundur.”
Përmbledhje
IST-të janë të zakonshme, por mund të parandalohen. Testimi i rregullt dhe njohja e mënyrave për të mbrojtur veten janë thelbësore për të zvogëluar rrezikun e infektimit me një IST.
Pergatiti: Dr. Dukagjin Zeqiraj
Specialist i Sëmundjeve Infektive
Rishikuar më: 08.09.2026
Burimi: Medical News Today

