Kolegji Amerikan i Kardiologjisë (ACC) ka publikuar udhëzime të përditësuara për imunizimin e të rriturve si pjesë e kujdesit kardiovaskular, duke përfshirë evidencat më të fundit dhe rekomandimet aktuale për vaksinat që kanë rëndësi për pacientët me sëmundje kardiovaskulare (CVD). Udhëzimi trajton vaksinimin kundër gripit (influenza), sëmundjes pneumokoksike, COVID-19, virusit respirator sincicial (RSV) dhe herpes zosterit.
Udhëzimi Klinik Konciz i vitit 2026 (2026 Concise Clinical Guidance) rishikon dokumentin e ACC-së të publikuar në gusht 2025, për të përfshirë gjetjet e studimeve klinike të publikuara së fundmi. Gjatë hartimit të këtij përditësimi, komiteti i autorëve përfshiu rekomandimet përkatëse nga udhëzimet e ACC/AHA (American Heart Association – Shoqata Amerikane e Zemrës), si dhe udhëzimet kombëtare të nxjerra nga Komiteti Këshillimor për Praktikat e Imunizimit (Advisory Committee on Immunization Practices – ACIP), Kolegji Amerikan i Mjekëve (American College of Physicians – ACP) dhe Shoqata e Sëmundjeve Infektive të Amerikës (Infectious Diseases Society of America – IDSA).
Ndër evidencat e reja të përfshira në këtë përditësim janë të dhënat që mbështesin vaksinat kundër gripit, COVID-19 dhe RSV për sezonin 2025–2026, si dhe gjetjet nga studimet e randomizuara që krahasojnë vaksinimin kundër gripit me dozë të lartë me vaksinimin me dozë standarde te të rriturit e moshës së avancuar.
Strategjitë e përshkruara në këtë udhëzim, duke përfshirë komunikimet e përshtatura dhe materialet e zhvilluara nga CardioSmart i ACC-së, synojnë të mbështesin komunitetin e profesionistëve të kujdesit kardiovaskular në rritjen e mbulimit me vaksinim, reduktimin e sëmundshmërisë (morbiditetit) dhe, në fund të fundit, përmirësimin e cilësisë dhe zgjatjen e jetës së pacientëve.
Vaksina e gripit me dozë të lartë preferohet tek të moshuarit
Për pacientët 65 vjeç e lart, opsioni i preferuar i vaksinës kundër gripit është formulimi me dozë të lartë; vaksinat rekombinante dhe me adjuvant janë alternativa. Të rriturit e moshës 18 deri në 64 vjeç duhet të marrin një vaksinë me dozë standarde. Rekomandimet ekzistuese kardiovaskulare gjithashtu kërkojnë imunizim vjetor kundër gripit te pacientët me sëmundje koronare kronike dhe mbështesin vaksinimin kundër infeksioneve respiratore te pacientët me insuficiencë kardiake (HF) për të ulur rrezikun e vdekshmërisë.
Të dhënat nga studimet e randomizuara favorizuan vaksinimin kundër gripit me dozë të lartë tek të moshuarit, duke treguar më pak shtrime në spital të atribuuara sëmundjeve respiratore, sëmundjeve kardiovaskulare (CVD) ose insuficiencës kardiake (HF), krahasuar me vaksinimin me dozë standarde. Efekti relativ i trajtimit ishte i krahasueshëm pavarësisht statusit të CVD-së, por pacientët me CVD përjetuan një reduktim absolut më të madh të shtrimeve në spital, sepse në fillim të studimeve kishin një rrezik bazë më të lartë. Për pacientët me HF, trajtimi i 105 pacientëve me formulimin me dozë të lartë në vend të dozës standarde do të parandalonte 1 shtrim në spital.
Evidencat për mbrojtjen kardiovaskulare nga vaksinimi kundër gripit shkojnë përtej krahasimit të dozave. Në 6 studime të randomizuara të kontrolluara, me gjithsej 6734 pacientë, vaksinimi u shoqërua me një rrezik relativ më të ulët për ngjarje të mëdha të padëshiruara kardiovaskulare, krahasuar me placebo ose mungesën e vaksinimit (rreziku relativ [RR], 0,64; 95% CI, 0,48–0,96).
Studimi Influenza Vaccination After Myocardial Infarction (Vaksinimi kundër gripit pas infarktit të miokardit; Identifikuesi në ClinicalTrials.gov: NCT02831608), në të cilin u përfshinë 2571 pacientë pas infarktit akut të miokardit (MI), gjeti një reduktim prej 28% të rrezikut të kombinuar për vdekje nga çdo shkak, infarkt miokardi ose trombozë të stentit brenda 1 viti pas vaksinimit (raporti i rrezikut [HR], 0,72; 95% CI, 0,52–0,99).
Vaksinimi kundër pneumokokut rekomandohet duke filluar nga mosha 50 vjeç
Për parandalimin e sëmundjeve pneumokoksike, udhëzimi rekomandon vaksinimin duke filluar nga mosha 50 vjeç te të rriturit që nuk kanë marrë më parë vaksinë pneumokoksike të konjuguar (PCV). Vaksinimi rekomandohet gjithashtu në moshën 19–49 vjeç kur janë të pranishme disa sëmundje kronike. Nga këndvështrimi kardiovaskular, këto përfshijnë sëmundjen kronike të zemrës, insuficiencën kardiake (HF) dhe kardiomiopatitë. Hipertensioni i vetëm nuk konsiderohet një gjendje e shoqëruar me rrezik më të lartë për pneumoni pneumokoksike.
Një dozë e vetme e PCV20 ose PCV21 është e mjaftueshme dhe nuk kërkohet një vaksinë pneumokoksike e mëvonshme. Në rastin e përdorimit të PCV15, kërkohet më vonë një dozë e vaksinës polisakaridike pneumokoksike 23-valente (PPSV23). Administrimi i saj në të njëjtën vizitë me vaksinën kundër gripit, COVID-19 ose RSV është i pranueshëm.
Të dhënat nga studimet klinike treguan 75% efikasitet kundër sëmundjes invazive të shkaktuar nga serotipet pneumokoksike të mbuluara nga vaksina dhe 45% efikasitet kundër pneumonisë pneumokoksike te të rriturit e moshuar që morën një vaksinë të konjuguar. Në një studim më të fundit të PPSV23, diferenca në infarktin e miokardit (MI) ose goditjen në tru nuk arriti rëndësi statistikore (HR, 0,90; 95% CI, 0,63–1,28; P = 0,57); megjithatë, numri i ngjarjeve ishte më i ulët se ai që ishte parashikuar.
Rekomandimet për COVID-19 trajtojnë të rriturit me imunosupresion
Vaksinimi kundër COVID-19 te pacientët me sëmundje koronare kronike duhet të ndjekë rekomandimet e autoriteteve të shëndetit publik, sipas udhëzimeve ekzistuese të ACC/AHA. Imunizimi kundër infeksioneve respiratore rekomandohet gjithashtu te pacientët me insuficiencë kardiake (HF) si strategji për reduktimin e rrezikut të vdekshmërisë.
Skema e dozimit e përshkruar për të rriturit me imunosupresion të moderuar ose të rëndë varet nga vaksinimi i mëparshëm. Pacientët që fillojnë vaksinimin duhet së pari të përfundojnë serinë primare me disa doza, e ndjekur 6 muaj më vonë nga një dozë shtesë; intervali mund të shkurtohet, por jo në më pak se 2 muaj. Për pacientët që e kanë përfunduar tashmë serinë fillestare, rekomandohen 2 doza me interval prej 6 muajsh, ndërsa 2 muaj përcaktohen përsëri si intervali minimal ndërmjet dozave.
Udhëzimi trajton gjithashtu miokarditin pas vaksinimit me vaksinat mRNA. Megjithëse kjo ngjarje është e rrallë dhe shfaqet kryesisht te meshkujt më të rinj, formulimet më të reja bivalente janë shoqëruar me më pak raste të miokarditit/perikarditit krahasuar me vaksinat fillestare monovalente: 1,2 raste kundrejt 6,9 rasteve për milion doza.
Vaksinimi kundër RSV rekomandohet për të rriturit me CVD duke filluar nga mosha 50 vjeç
Një histori e sëmundjes kardiovaskulare (CVD) e bën një të rritur të përshtatshëm për vaksinimin kundër RSV, duke filluar nga mosha 50 vjeç, me kusht që të mos ketë marrë më parë vaksinën kundër RSV. Aktualisht, rekomandohet 1 dozë gjatë gjithë jetës, dhe jo administrim vjetor.
Rezultatet kardiovaskulare u vlerësuan në një studim të randomizuar të kryer në Danimarkë, ku u përfshinë rreth 130 000 të rritur. Vaksinimi kundër RSV siguroi 9,9% efikasitet kundër sëmundjeve kardiorespiratore, ndërsa te personat e vaksinuar u shfaqën më pak raste të goditjes në tru dhe ngjarjeve kardiovaskulare. Mbrojtja kundër sëmundjes së traktit respirator të poshtëm me tre vaksinat aktualisht të disponueshme është afërsisht 80% gjatë vitit të parë dhe rreth 70% gjatë vitit të dytë. Megjithëse mbrojtja mund të jetë më e ulët te pacientët me CVD, evidencat aktuale nuk kanë përcaktuar ende kur, ose nëse, duhet të administrohet një dozë tjetër.
Vaksinimi kundër herpes zosterit lidhet me përfitime kardiovaskulare
Duke filluar nga mosha 50 vjeç, të rriturit duhet të marrin një seri me 2 doza të vaksinës rekombinante kundër herpes zosterit, ku injeksioni i dytë administrohet 2–6 muaj pas të parit.
Studimet observacionale të cituara nga ACC ngrenë mundësinë e një efekti mbrojtës kardiovaskular të vaksinimit kundër herpes zosterit. Një analizë e më shumë se 1 milion individëve në Korenë e Jugut e lidhi vaksinimin me norma më të ulëta të infarktit të miokardit (MI), goditjes në tru, insuficiencës kardiake (HF) dhe aritmive gjatë një periudhe prej 8 vitesh. Të dhëna të veçanta te të rriturit 50 vjeç e lart treguan norma më të ulëta të infarktit akut të miokardit dhe goditjes në tru te personat që përfunduan të dyja dozat e vaksinës.
Përtej rekomandimeve specifike për secilën vaksinë, ACC u ngarkon gjithashtu ekipeve të kujdesit kardiovaskular përgjegjësinë për të identifikuar boshllëqet në vaksinim gjatë vizitave rutinë, duke përfshirë vizitat pas shtrimit në spital ose procedurave, si dhe gjatë menaxhimit të vazhdueshëm të sëmundjeve kardiovaskulare. Vaksinat mund të përfshihen në praktikën e kardiologjisë kur është e mundur; në të kundërt, pacientët mund të drejtohen në farmaci, qendra të kujdesit parësor ose pika komunitare të vaksinimit. Përkujtuesit për profesionistët shëndetësorë dhe bisedat me pacientët rreth imunizimit janë ndër qasjet e identifikuara për përmirësimin e mbulimit me vaksinim.
“Strategjitë e përshkruara në këtë udhëzim, duke përfshirë komunikimet e përshtatura dhe materialet e zhvilluara nga CardioSmart i ACC-së, synojnë të mbështesin komunitetin e kujdesit kardiovaskular në përmirësimin e mbulimit me vaksinim, reduktimin e sëmundshmërisë dhe, në fund të fundit, përmirësimin e cilësisë dhe zgjatjen e jetës së pacientëve”, përfundoi ACC.
Deklarimi i konfliktit të interesit: Disa nga autorët e studimeve deklaruan lidhje profesionale me kompani bioteknologjike, farmaceutike dhe/ose të pajisjeve mjekësore. Për një listë të plotë të deklarimeve, ju lutemi referojuni referencës origjinale.
Pergaditi: Dr. Dukagjin Zeqiraj
Specialist i Sëmundjeve Infektive
Rishikuar më: 19.08.2026
Burimet: Heidenreich PA, Bhatt A, Nazir NT, Schaffner W, Vardeny O. Adult immunizations as part of cardiovascular care: 2026 ACC concise clinical guidance: a report of the American College of Cardiology Solution Set Oversight Committee. Journal of the American College of Cardiology. Publikuar online më 5 gusht 2026. doi:10.1016/j.jacc.2026.07.004.

